Federeri i dërgon mesazh Nadalit, para gjysmëfinales në Wimbledon
Federeri i dërgon mesazh Nadalit, para gjysmëfinales në Wimbledon
11.07.2019 | 07:18

Roger Federer ka thënë se do të jetë kënaqësi për të, të përballet me armikun e moçëm, Rafael Nadal, në barin e Wimbledonit dhe ka premtuar se nuk do ta ndryshojë qasjen për shkak të ballafaqimit me spanjollin.

Federeri e mposhti Kei Nishikorin në katër sete, 4:6, 6:1, 6:4, 6:4, duke e siguruar fitoren e 100-të në Wimbledon, derisa Nadal e mundi Sam Querrey në tre sete, 7:5, 6:2, 6:2. 

Ky do të jetë takimi i tyre i parë në Wimbledon pas 11 vjetëve. Në finalen e vitit 2008, takimin e fundit mes tyre në këtë turne, spanjolli Nadal fitoi 9:7 në setin e pestë kundër zviceranit Federer në një finale të prekur nga shiu që zgjati gati shtatë orë.

Nadal e mundi Federerin 6:4 6:4 6:7 (5:7) 6:7 (8:10) 9:7 në finalen e Wimbledon më 2008

Legjenda zvicerane mezi pret të përballet me spanjollin.

“Ne kemi shumë informacione rreth Rafas, njëlloj dhe Rafa për neve. Mund të bëjmë taktika si të çmendur për dy ditë apo mund thjesht të themi është terren me bar dhe do të paraqitem në fushë dhe ta luaj lojën time”, tha Federer për BBC.

“Ka qenë kënaqësi të luaja ndaj Rafas në fushën e tij në French Open dhe do të jetë kënaqësi të luaj ndaj tij edhe këtu në Wimbledon. Ndihem i ngazëllyer të luaj ndaj tij këtu”, shtoi ai.

Federeri i fitoi gjashtë ndeshje radhazi – të gjitha në terren të fortë – ndaj Nadalit para se të humbiste ndaj tij në terrenin me dhe në French Open këtë vit.