Feronikeli me rikthim dramatik ndaj TNS rrit seriozisht shpresat për kalim në rundin tjetër të Champions
Feronikeli me rikthim dramatik ndaj TNS rrit seriozisht shpresat për kalim në rundin tjetër të Champions
10.07.2019 | 04:42
Feronikeli ka bërë një rikthim sensacional tejet dramatik duke e barazuar rezultatin në 2:2 ndaj The New Saints në ndeshjen e parë mes tyre në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve, duke i rritur seriozisht shpresat për kalim në rundin e dytë kualifikues.

Kampioni i Kosovës po humbiste 2:0 nga TNS deri në minutën e fundit të ndeshjes pas golave nga Greg Draper dhe Aeron Edwards, por dy gola të vonshëm por të shpejtë nga Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu e kompletuan rikthimin sensacional të Niklit të martën në Park Hall në Uells,

Barazimi 2:2 në një garë të këtij karakteri është shumë i favorshëm për Niklin, pasi çfarëdo barazimi më me pak se dy gola e dërgon skuadrën nga Drenasi në rundin e dytë kualifikues në tentim për ta siguruar pjesëmarrjen në edicionin 2019/20 të Ligës së Kampionëve.

Një pjesë e parë e amullt mes kampionit të Uellsit dhe atij të Kosovës u mbyll baras pa gola, në mungesë të rasteve dhe lojës së rrjedhshme.

Me kujdes të shtuar kampioni të dy skuadrat u treguan shumë të rezervuara duke zhvilluar lojë kryesisht në mesfushë.

Megjithatë, 45 minutat e dytë nisen me tjetër qasje, sidomos nga vendasit, që kaluan në epërsi herët. Labidar Lladrovci shkaktoi penallti, nga e cila nuk gaboi Greg Draper, që ia dha epërsinë vendasve në minutën e 49-të.

Aeron Edwards e dyfishoi epërsinë në minutën e 77-të. Ai shfrytëzoi një harkim në zonë dhe hutinë në zonën e Niklit për të shënuar gol nga afërsia.

Por, kjo nuk e bëri kampionin e Kosovës të dorëzohet.

Në minutën e 89-të, Zeka shënoi një gol të bukur me kokë dhe e ktheu në lojë skuadrën vizitore.

Ndërsa rikthimin e kompletoi Fazliu që ruajti nervat duke shënuar nga penalltia në minutën e tretë të kohës shtesë.

Feronikeli e pret TNS-në në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë pas një jave, dhe ka shumë gjasa të mira të kalojë në rundin e dytë kualifikues. Niklit i kryen punë fitorja me çfarëdo rezultati por edhe një barazim pa gola ose të paktën 1:1.