Mediat britanike: Feronikeli, mbreti i rikthimeve
Mediat britanike: Feronikeli, mbreti i rikthimeve
10.07.2019 | 04:37

Rikthimi sensacional në sekondat e fundit i Feronikeli kundër klubit uellsian The New Saints iu ka lënë mbresa edhe mediave në ishull, me njërën prej tyre që e ka quajtur kampionin e Kosovës mbret të rikthimeve.

Kampioni i Kosovës po humbiste 2:0 nga TNS deri në minutën e fundit të ndeshjes pas golave nga Greg Draper dhe Aeron Edwards, por dy gola të vonshëm por të shpejtë nga Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu e kompletuan rikthimin sensacional të Niklit në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve, të martën në Park Hall në Uells, 

Barazimi 2:2 në një garë të këtij karakteri është shumë i favorshëm për Niklin, pasi çfarëdo barazimi më me pak se dy gola e dërgon skuadrën nga Drenasi në rundin e dytë kualifikues në tentim për ta siguruar pjesëmarrjen në edicionin 2019/20 të Ligës së Kampionëve.

County Times e ka quajtur Niklin mbret të rikthimit në raportin e ndeshjes ndaj TNS-së.

Ndërsa Shropshire Star e mbulon ndeshjen me këtë titull: “Dy gola të vonshëm e tronditin TNS-në”.

Feronikeli e pret TNS-në në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë pas një jave, dhe ka shumë gjasa të mira të kalojë në rundin e dytë kualifikues. Niklit i kryen punë fitorja me çfarëdo rezultati por edhe një barazim pa gola ose të paktën 1:1.