Talenti kuqezi: Synoj skuadrën e parë të Chelseat
Talenti kuqezi: Synoj skuadrën e parë të Chelseat
13.06.2019 | 04:46

Ndonëse pa mbushur ende 18 vjeç, Armando Broja shënoi tre gola me skuadrën shqiptare U19, në miqësoret ndaj Kosovës, të cilët bashkë me faktin që është pjesë e skuadrës së moshave të Chelseat në Londër, e bindën Alban Bushin ta ftojë te Shpresat.

Edhe këtu djaloshi nuk zhgënjeu, pasi zgjidhi i vetëm miqësoren e parë ndaj Uellsit, me dy gola në fitoren 2-1 dhe shënoi një tjetër gol në miqësoren e dytë ndaj uellsianëve, ndonëse të dy takimet i nisi nga stoli.

Sulmuesi luan me të rinjtë e Chelseat, ku spikat si një ndër talentet më premtues, por rruga për 18-vjeçarin nuk ka qenë aspak e lehtë, ashtu siç rrëfen në një intervistë për Supersport, ku tregon edhe hapat e tij të parë në futboll.

“Më kanë çuar mami dhe babi në ekipe moshash që në moshën 5-vjeçare dhe kështu e fillova duke luajtur ndeshje çdo të diel. Kur isha vetëm 8 vjeç, mora pjesë në një turne, ku ishte edhe një drejtues i Tottenhamit, që kishte ardhur për të ndjekur një djalë tjetër. Megjithatë unë u paraqita mjaft mirë, duke u shpallur më i miri i turneut dhe menaxheri takoi prindërit e mi, për t’u kërkuar një provë për t’u bërë pjesë e Tottenhamit, Prova shkoi me sukses dhe vetëm pas ndeshjes së parë, kalova te akademia e Tottenhamit, ku qëndrova për dy vjet”, tregon Broja.

Nga “Spurs”-at, talenti shqiptar kaloi te Chelsea, që është edhe skuadra e zemrës për Brojën. Paraqitjet e mira dhe golat e shënuar, bindën blutë e Londrës, që ta marrin pjesë të akademisë së tyre.

“Duke luajtur në një ndeshje me Chelsean, ishin edhe drejtuesit e lartë të klubit. Pjesën e parë ishim duke humbur 2-0, por u futa në fushë dhe shënova një gol e dhashë një asist. Më pas luajtëm një ndeshje tjetër, të cilën e fituam 13-0 dhe unë shënova 9 gola, duke i bindur drejtuesit e Chelseat të më marrin në akademinë e tyre. Ishte klubi im i zemrës dhe shkova direkt, ndërsa prej disa vitesh vazhdoj të luaj dhe të stërvitem aty”, tregon Broja.

Sulmuesi nga Malësia e Madhe synon që shumë shpejt t’i bashkohet ekipit të parë londinez, një ëndërr të cilën deri tani e ka prekur vetëm në seancat stërvitore, mes yjeve të “bluve” të Londrës.

“Jam stërvitur shumë herë me skuadrën e parë, po ashtu edhe me U21-shin. Po përpiqem të stërvitem shumë dhe të luaj fort, ndaj shpresoj se do vazhdoj edhe më lart”, shprehet sulmuesi.

Idhujt e sulmuesit shqiptar të Chelseat janë dy futbollistë, të dy me të njëjtin emër, por çdonjëri me historinë e tij të lavdishme mbi supe.

“Kam dy idhuj, Ronaldo fenomenin dhe Cristiano Ronaldon. Janë shumë të shpejtë, të fortë të gjatë, mirë me kokë dhe me të dy këmbët, pra i njëjti stil loje që më pëlqen edhe mua”, tregon 18-vjeçari.

Një tjetër ëndërr e Armando Brojës, që tani është bërë realitet, ishte veshja e fanellës kuqezi, për të cilën tregon se e ka dëshiruar shumë të luajë për Shqipërinë, vendin e lindjes së prindërve të tij.

“Kam shumë qejf të luaj për Shqipërinë, pasi mami e babi janë lindur këtu dhe kam gjak shqiptari. Emocionohem kur vesh fanellën kuqezi dhe zbres në fushë”, u shpreh Armando Broja.