Zbulohet studioja që do ta dizajnojë stadiumin nacional të Kosovës
Zbulohet studioja që do ta dizajnojë stadiumin nacional të Kosovës
09.07.2019 | 05:18

Stadiumi Nacional i Kosovës do ketë kapacitet 30 mijë ulëse dhe do të ndërtohet në Drenas nga studioja ”Tabanlioglu Architects”.

Stadiumi do të jetë shtëpia e re e Kombëtares së Kosovës në futboll, i cili do të ndërtohet diku 20 kilometra larg kryeqytetit të Prishtinës, dhe është dizajnuar që të bashkojë qytetarët e Kosovës. 

“Struktura e re urbane do të jetë një urë për njerëzit, duke i bashkuar ata nëpërmjet kënaqësisë që jep sporti”, tha Murat Tabanlioglu, themelues i studios ‘Tabanlioglu Architects’.

“Ai do të reflektojë identitetin multietnik dhe bashkëkohor të Kosovës, stadiumi do t’i afrojë 30 mijë njerëz. Teksa Kosova sapo ka dalë nga lufta, komunikimi mes njerëzve është i rëndësishëm”, ka thënë ai për mediumin Dezeen.

Stadiumi Nacional i Kosovës do të jetë shtëpia e kombëtares së Kosovës.

FFK formalisht është njohur nga institucioni administrativ i futbollit europian UEFA dhe nga institucioni ndërkombëtar FIFA në vitin 2016, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Aktualisht “Dardanët” luajnë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ që ka kapacitet 13 mijë ulëse.

Por sporti në vendin tonë është në rritje e sipër dhe është kërkuar zgjerimi i stadiumit apo edhe ndërtimi i një të riut më të madh për shkak se interesimi për ndeshje është shumë i madh. Stadiumi do të ndërtohet sipas standarteve të UEFA’s dhe FIFA’s.

“Popullata e re dhe dinamike krijon një kërkesë të madhe për sporte, rekreacion dhe evente sociale. Stadiumi i ri kombëtar shihet si një nevojë urgjente në fushën e futbollit dhe po ashtu ekipi po bëhet më i sukseshëm”, shtoi Tabanlioglu.

Stadiumi do të ndërtohet nga një seri e betonëve special, që do të mbështesin strukturën kryesore të ulësve.

“Fasada e stadiumit do të jetë e mbrojtur nga një material fleksibil në harmoni me parkun natyral që është ngjitur me këtë strukturë të madhe, kështu do të ndahet vizualisht struktura e madhe dhe masa e stadiumit. Struktura do të shërbejë si një perde e hollë mes parkut dhe qiellit”, shpjegon Tabaniolgu.

Sipas projektit të prezantuar, Stadiumi Kombëtar do të ketë restorante, hotele, fusha ndihmëse, parqe e pishina, ndërsa në ndeshjet e Kosovës, stadiumi do të ndriçohet nga ngjyra të kaltra.